Pas publikimit të raportit të Institutit të Psikiatrisë Forenzike, i cili konfirmon se Naim Murseli është mendërisht i aftë dhe përgjegjës për veprimet e tij, ka reaguar edhe familja e Liridona Ademajt.
Përmes një deklarate publike, vëllai i Liridonës, Leonardi ka bërë të ditur se e mirëpresin gjetjen e Forenzikës, duke shtuar se shpresojnë që drejtësia do të vijojë pa vonesa.
“Ne si familje e mirëpresim raportin e Forenzikës në lidhje me rastin e vrasjes së Liridonës tonë dhe shpresojmë që gjykata do të vazhdojë të procedojë shpejt me rastin, ashtu siç ka bërë deri më tani,” shkroi ai.
Ai deklaron se si familje, kërkojnë një drejtësi të shpejtë, profesionale, pa gabime dhe me vendosshmëri, në mënyrë që rasti të mos zvarritet për vite me radhë.
“Ne duam drejtësi të shpejtë, profesionale, pa gabime dhe vendosshmëri nga ana e gjykatës që të mos lejojë që ky rast të zvarritet me vite,” , ka thënë ai teksa ka bërë me dije se seanca e radhës gjyqësore, do të mbahet me 14 korrik nga ora 09:00.
Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka përfunduar ekzaminimin psikiatrik të Naim Murselit, i akuzuar për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj – një rast që ka tronditur opinionin publik në Kosovë.
Sipas raportit mjekësor të siguruar ekskluzivisht nga Gazeta Insajderi, ekspertët psikiatrikë kanë konstatuar se Murseli nuk vuan nga ndonjë çrregullim mendor apo sëmundje mendore të përhershme apo të përkohshme.
Ai nuk ka shfaqur as prapambetje, ngecje mendore apo abuzim me substanca psikoaktive ose alkool.
Më tej, raporti sqaron se në momentin e kryerjes së veprës penale, për të cilën ai akuzohet, nuk është identifikuar ndonjë simptomatologji psikiatrike patologjike që do të kishte ndikuar në aftësinë e tij për të kuptuar rëndësinë e veprës apo për të kontrolluar sjelljen e tij.
“Vlerësimi është bërë duke analizuar edhe dinamikën e sjelljes para, gjatë dhe pas kryerjes së veprës”, thuhet në raport.
Ekspertiza përfundon se Murseli është plotësisht i përgjegjshëm dhe i llogaritshëm për veprimet e tij, si dhe në gjendje të përballet me gjykimin.
Ai mund të marrë pjesë në seanca gjyqësore, të mbrohet vetë ose të konsultohet me avokatë, dhe e kupton akuzën ndaj tij.
Lajmin për përfundimin e raportit e ka konfirmuar drejtori i Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Shpend Haxhibeqiri.
“Po, është e vërtetë, kështu shkruan në raport, por nuk mund të prononcohemi më gjatë pa e parë raportin gjyqtarja e rastit,” tha Haxhibeqiri.