Telenews

Serwer: Kosova nuk mund të bëhet pjesë e Nato-s dhe BE-së para vitit 2027

Krerët e shtetit po vazhdojnë të ngulin këmbë se Kosova duhet të anëtarësohet sa më shpejt në NATO dhe BE, pas agresionit rus në Ukrainë.
Sipas tyre, zhvillimet në Ukrainë paraqesin kërcënim dhe ndikimi rus mund të sjell destabilizim në Ballkanin Perëndimor, kryesisht në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi.
Njohësi i çështjeve të Ballkanit Perëndimor Daniel Serwer në një përgjigje për teve1.info ka thënë se Kosova duhet të anëtarësohet në NATO sa më shpejt të jetë e mundur.
Serwer thotë se anëtarësimi i Kosovës në NATO mund të bëhet në vitin 2027, teksa për BE-në më vonë se kaq.
“Sigurisht që Kosova duhet të përpiqet të kualifikohet në NATO dhe BE sa më shpejt të jetë e mundur. Për NATO-n kjo do të thotë 2027. Për BE-në, pak kohë pas kësaj. Megjithatë, nuk ka asnjë parashikim se kur do të hapet dritarja politike për anëtarësim“, tha ai.
Sipas tij, lufta në Ukrainë duhet të shihet si një paralajmërim në Ballkan, pasi siç thotë ai, mohimi i pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës nga Serbia është alarmuese.
“Lufta në Ukrainë duhet parë si një paralajmërim në Ballkan. Mohimi i pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës nga Serbia është veçanërisht alarmues. Ideja e një “bote serbe” (d.m.th. Serbisë së Madhe) është analoge me idenë e Putinit për një “botë ruse”. Kjo ide qëndron në bazën e pushtimit të tij në Ukrainë. Në mënyrë të ngjashme, përpjekja e Dodik për të ndarë Republikën Srpska nga strukturat qeverisëse të Sarajevës është analoge me ambiciet e përfaqësuesve rusë në Luhansk dhe Donetsk”, shtoi ai për teve1.info
Eksperti i Ballkanit Perëndimor komentoi edhe qëndrimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për të mos vendosur sanksione ndaj agresionit rus për luftën ndaj Ukrainës.
Serwer theksoi se Vuçiqi po mban anën e Rusisë pikërisht duke mos vendosur sanksione. Sipas tij, nëse Serbia mbështet Rusinë, ka pak shpresa që marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë të përmirësohen.
“Moska ka shumë ndikim mbi Serbinë. Qëndrimi i Vuçiqit nuk është neutral. Ai po mban anën e Rusisë duke mos vendosur sanksione. Unë shoh pak shpresë për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nëse Serbia po e mbështet de fakto Rusinë”, potencoi ai.
Tutje, profesori amerikan shtoi se nuk mund të përjashtohet një sulm i mundshëm i Serbisë ndaj Kosovës, por që siç thotë ai, beson se NATO do të përgjigjej si duhet.
“Rusia do të bëjë gjithçka që mundet për të parandaluar suksesin e shtetndërtimit të Kosovës në komunat me shumicë serbe. Një sulm nga Serbia nuk mund të përjashtohet plotësisht, megjithëse besoj se NATO do të përgjigjej siç duhet”,t ha Serwer.
I pyetur për deklaratën e Vuçiqit që disa shtete do ta tërheqin njohjen e Pavarësisë së Kosovës nëse kjo e fundit anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, Serwer tha se nuk e sheh logjikën e kësaj deklarate.
“Nuk e shoh logjikën e kësaj deklarate. Pse dikush do të tërhiqte njohjen e një vendi që e njeh nëse ai vend hyn në një organizatë ndërkombëtare?”, shtoi ai.

Të ngajshme

Në mbledhje elektronike, qeveria bën dy emërime

Donat Hashani

Kandidati për prokuror të shtetit ndalohet për dhunë në familje nga Prokuroria e Prizrenit

Donat Hashani

Zyrtarja e lartë e PDK-së sot mban konferencë për media

Donat Hashani