Besfort Lamallari largohet nga detyra e ministrit të Punëve të Brendshme, post të cilin e mbante prej marsit të vitit 2026.
Lamallari kishte marrë më herët drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë në shtator të vitit 2025, ndërsa në karrierën e tij në administratën publike ka mbajtur edhe postin e zëvendësministrit të Brendshëm, që prej tetorit të vitit 2017.
Ai ka një eksperiencë të gjatë në fushën e sigurisë, drejtësisë dhe luftës kundër krimit të organizuar. Që prej vitit 2020, Lamallari ka përfaqësuar Shqipërinë si negociator përgjegjës për Kapitullin 24, “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian.
Gjatë karrierës së tij në administratë, ai është angazhuar edhe në menaxhimin e situatave të emergjencave. Në nëntor 2019 shërbeu si delegat i qeverisë dhe i Komitetit Ndërministror për Emergjencat Civile për menaxhimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit pas tërmetit shkatërrues në Durrës. Në prill 2020 u angazhua gjithashtu në menaxhimin e situatës së krijuar nga epidemia e COVID-19 në rajonin e Shkodrës.
Besfort Lamallari ka lindur më 18 korrik 1987 në Peshkopi të Dibrës. Ai ka përfunduar studimet universitare në Drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 2009.
Në vitin 2013, ai u diplomua në Universitetin e Oksfordit me një Master Shkencash në Kriminologji dhe Drejtësi Penale. Më herët kishte kryer studime pasuniversitare në Itali, ku mori një diplomë LL.M në “Bashkëpunim Ndërkombëtar kundër Krimit të Organizuar Transnacional”.
Lamallari është trajnuar gjithashtu nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë (DGAP), Shkolla e Studimeve të Sigurisë në Universitetin e Kopenhagës, si dhe në Programin e Akademisë së Studimeve Politike të Këshillit të Evropës.
Ai ka pasur edhe angazhime në fushën akademike dhe kërkimore, duke shërbyer si studiues i pavarur dhe autor i studimeve mbi krimin e organizuar, radikalizimin dhe terrorizmin.

