Sot në Bruksel do të zhvillohet takimi ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Ky takim do të ndërmjetësohet edhe nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i përkrahur nga i Dërguari i Posaçëm, Miroslav Lajçak,.
“Takimi do të nis në 10:30 dhe në fokus do të jetë rruga para në dialog dhe arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim”, thuhet në njoftimin e BE-së.
“Po ashtu do të adresohen çështjet aktuale me synim të uljes së tensioneve. Borrell gjithashtu do të mbajë takime të ndara me secilin nga liderët”.
Kujtojmë se së fundmi janë ngritur shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm të situatës në veri të Kosovës. Kjo pasi kryeministri Kurti ka paralajmëruar se do ta zbatojë masën e reciprocitetit sa i përket çështjes së targave dhe dokumenteve me Serbinë.
Një takim i rëndësishëm është mbajtur të mërkurën (17.08.2022) në selinë e NATO-s në Bruksel, ku pas takimeve të ndara veç e veç, sekretari gjeneral i NATO-s ka mbajtur konferencë për media, nga ku ka theksuar se NATO është e gatshme të ndërmarrë çdo masë të nevojshme në mënyrë që ta ruajë paqen, stabilitetin dhe lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
“NATO vazhdon të monitorojë nga afër situatën në terren. Misioni ynë paqeruajtës i KFOR-it mbetet i fokusuar në mandatin e tij në OKB. Nëse rrezikohet stabiliteti, KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë dhe do të marrë çdo masë që është e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë popullin e Kosovës”.
Ai po ashtu u ka bërë thirrje të dy palëve që mosmarrëveshjet t’i zgjidhin përmes dialogut që do të mbahet sot në Bruksel.
“Dialogu konstruktiv është mënyra e vetme për të zgjidhur mosmarrëveshjet në rajon. Dialogu Beograd-Prishtinë i lehtësuar nga BE-ja është platforma për të gjetur një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve”.
“E mirëpres raundin tjetër të dialogut që do të zhvillohet nesër. I inkurajoj të gjitha palët të angazhohen në mirëbesim, të tregojnë fleksibilitet dhe të jenë konstruktiv”.
Pas takimit të sotëm, Borrell pritet të dalë në një konferencë për media për të treguar rreth mbarëvajtjes së takimit.