Telenews

STARTON LIGA UNIVERSITARE E KOSOVËS 2022

Në sallën “1 Tetori” në Prishtinë sot u shënua hapja zyrtare e Ligës Universitare, të organizuar nga Federata e Sportit Universitar të Kosovës.
Liga Universitare është ngjarja e cila bashkon studentët nga i gjithë vendi, për të garuar në disiplinat, si: futsall, basketboll 3×3, pingpong dhe volejboll.
Hapjen e Ligës Universitare e beri u.d. kryetari i FSUNK-së, Gani Ibrahimi, i cili falënderoj përkrahësit e këtij aktiviteti dhe uroj që studentët të kenë rrugëtim unik dhe përvojë interesante gjatë këtyre muajve.
Ndërkaq, drejtori i kompanisë Al-Trade Center, Sokol Gashani, njëherësh sponsor gjeneral i Ligës Universitare, premtoi mbështetje maksimale në organizimin e aktiviteteve të tilla edhe në vazhdimësi. “Viteve të fundit sportistët janë ambasadorët më të dinjitetshëm që e kanë ngritur Kosovën lartë. Përmes atyre, ne kemi marrë titujt më të lartë ndërkombëtarë.”, theksoi Gashani.
Fjalë rasti në këtë ngjarje, për të pranishmit, adresuan edhe kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi dhe drejtori për sport në Komunën e Prishtinës, Granit Rugova. Të dy palët premtuan mbështetjen e tyre në masovizimin e sportit në Kosovë, si dhe përgëzuan FSUNK-në për organizimin e këtij aktiviteti.
Nisja e Ligës Universitare u përshëndet edhe nga përfaqësuesit e Universitetit të Prishtinës. Prorektori për kërkime shkencore, Kurtesh Sherifi përgëzoi FSUNK-në për fillimin e këtij aktiviteti, ku ndër të tjera tha se këto Liga do të kontribuojnë në avansimin e sportit tek studentët.
Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, Musa Selimi, tha që Liga Universitare është një aktivitet shumë i rëndësishëm për studentët e FEFS-it, të cilët përmes saj mund të shfaqin vlerat e tyre dhe të prezantojnë UP-në.
Liga Universitare mbledhë studentët kosovarë në gara të ndryshme, për të fituar titullin e të parit në mesin e universiteteve dhe kolegjeve vendore. Sivjet, Liga sponsorisohet nga Al – Trade Center.

Të ngajshme

Kosova kualifikohet në Play-off të Kampionatit Evropian për Esports pas fitores ndaj Danimarkës

KushtrimGuraj

Alonso do të mbajë takim urgjent me dy lojtarë të Real Madridit pas poshtërimit nga PSG

KushtrimGuraj

Fisnik Asllani rinovon me Hoffenheim deri në vitin 2029 – zyrtarizimi në fund të javës

KushtrimGuraj