Studiuesit japonezë kanë zhvilluar një sistem me inteligjencë artificiale për zbulimin më efikas të mbetjeve plastike detare në shtratin e detit.
Studiuesit në Agjencinë Japoneze për Shkencën dhe Teknologjinë Detare-Tokësore kanë zhvilluar një sistem të quajtur “DeepLitterAI”, i cili mund të përpunojë të dhënat me një shpejtësi pothuajse dyfish më të madhe se njerëzit, raportoi agjencia japoneze e lajmeve Kyodo me bazë në Tokyo, duke cituar revistën “Environmental Pollution”.
Pritet që sistemi të përdoret për monitorimin në kohë reale të mbetjeve plastike detare.
Studiuesit krijuan bazë të dhënash me rreth 12 mijë imazhe, bazuar në pamjet e shtratit të detit të regjistruara nga agjencia që nga viti 1983. Imazhet përfshinin objekte të vogla mbetjesh si dhe objekte që nuk janë mbetje, si shkëmbinj dhe krijesa detare, të cilat mund të ngatërrohen lehtësisht me mbetje.
Ata trajnuan sistemin duke përdorur modele të ndryshme, përfshirë turbullimin dhe përmbysjen e imazheve, për të reduktuar zbulimet e rreme. Ndërsa një pjesë e madhe e mbetjeve plastike që hyjnë në det fundoset në shtratin e detit, zbulimi i saktë i tyre mbetet i vështirë.
“Ne mund të identifikojmë shpejt zonat ku grumbullohen sasi të mëdha mbetjesh dhe ta përdorim këtë informacion për të zbatuar masa kundër tyre”, tha Ryota Nakajima, oqeanograf biologjik në ekipin hulumtues.
Gjatë testeve me pamje reale, sistemi identifikoi llojin dhe sasinë e mbetjeve edhe kur objektet zinin vetëm 5 deri në 10 për qind të gjerësisë së imazhit. Ai zbuloi me sukses 80 për qind të mbetjeve kryesore, përfshirë shishet plastike dhe qeset e polietilenit ndërsa marzhi i gabimit krahasuar me inspektimet vizuale të ekspertëve ishte rreth 10 për qind.

