Shefi i Grupit Parlamnetar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri ka thënë se për këtë parti tema kryesore në këtë momente është plotësim-ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërsa çështja e presidentit sipas tij kërkon konsensus, raporton Ekonomia Online.
Ai në një konferencë për media ka thënë se projektligji për specialen nuk duhet të lidhet me çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Tahiri ka thënë se duhet të ndalen inskenimet për zgjedhje të reja duke shtuar se kjo parti është kundër zgjedhjeve të reja.
“Çështja e presidentit është çështje e konsensusit politik. PDK ka qenë e angazhuar me i shmang zgjedhjet, nuk duhet me bë situata e inskenime që me prodhuar zgjedhje pas zgjedhjeve, jem duke e dëmtuar shtetin, lodh qytetarët e Kosovës. Duhet mu ndal dramat dhe me ju qas me përgjegjësi këtij procesi, por për Partinë Demokratike të Kosovës, kryefjalë është ligji për Specialen”, është shprehur ai.
Sipas aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese 6 tetori është data e fundit për zgjedhjen e presidentit.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se është i gatshëm për bisedime për çështjen e presidentit nëse votohet ligji për ndryshimin e Dhomave të Specializuara.


