Televizioni i Shqipërisë, Top Channel, ka reaguar pas sulmit me kallashnikov, që ka lënë të vdekur rojën e sigurisë.
Nëpërmjet një reagimi në media, Top Channel ka thënë se ky akt terrorist i paprecedent, është kryer për ta dëmtuar e goditur misionin e medias së lirë dhe fuqisë së fjalës së lirë. Prandaj, edhe ka kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes nga organet ligjzbatuese.
Top Channel e ka cilësuar ngjarjen si “një sulm terrorist, të paparë më parë në 32 vitet e ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe fjalës së lirë”.
Në komunikatën për media thuhet se ky akt terrorist është i paprecedent ndaj një media kombëtare, e cila, sipas tyre, lidhet vetëm me misionin e saj të fjalës së lirë.
“Sulmet terroriste të këtij lloji tregojnë qartazi sa e rëndësishme është fjala e lirë, sa shqetësuese për minuesit e demokracisë. Në emër të detyrës më të lartë të cilës i kemi shërbyer, Top Channel do të vijojë të trashëgojë dhe të kryejë misionin e vet të fjalës së lirë ndaj publikut e shoqërisë shqiptare”, thuhet në deklaratën e tyre.
Po ashtu, televizioni në fjalë ka deklaruar se zbardhja e këtij akti duhet të jetë prioritet për organet ligjzbatuese, “sepse është vrarë një punonjës i Top Channel, por gjithashtu është atentat ndaj televizionit që ka shërbyer në transparencë e mbështetjen e të drejtës duke kontribuar me informacion e ndërgjegjësim dhe fuqizim të institucioneve të së drejtës për shoqërinë shqiptare”.
Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 1:00 të mëngjesit të së hënës.
Sipas zyrtarëve policorë, tashmë janë krijuar disa pika kontrolli për kapjen e autorëve, por deri tani nuk ka asnjë të arrestuar.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, ka thënë në Facebook se “Policia e Shtetit është maksimalisht e përkushtuar për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë dhe për të vënë para drejtësisë autorët”.
Sulmi ndaj ndërtesës së Top Channel-it, është dënuar edhe nga presidenti i shtetit, Bajram Begaj, kryeministri, Edi Rama, kryeparlamentarja, Lindita Nikolla, krerët e partive opozitare, Enkelejd Alibeaj dhe Ilir Meta.

