Në seancën solemne të mbajtur me rastin e 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Fushë Kosovës, asambleisti i PDK-së në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës, Valon Murseli, mbajti një fjalim kushtuar sakrificës së popullit shqiptar për liri, duke nderuar dëshmorët, veteranët, invalidët e luftës dhe të gjithë ata që kontribuuan në çlirimin e vendit.
Ai theksoi se liria e Kosovës nuk erdhi rastësisht, por ishte rezultat i sakrificës, qëndresës dhe përkushtimit të brezave të tërë që luftuan për të drejtat dhe lirinë e popullit shqiptar.
Në fjalën e tij, Murseli vlerësoi rolin historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se luftëtarët e saj iu përgjigjën thirrjes së atdheut në momentet më të vështira dhe u bënë simbol i rezistencës dhe shpresës për liri.
Ai nderoi dëshmorët dhe martirët e kombit, si dhe veteranët e invalidët e luftës, duke theksuar se sakrifica e tyre mbetet themeli mbi të cilin është ndërtuar liria e Kosovës.
Gjatë fjalimit, Murseli përmendi edhe ish-udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, duke vlerësuar kontributin e tyre në organizimin dhe udhëheqjen e luftës çlirimtare.
“Ne besojmë se përvjetorët e ardhshëm do t’i festojmë së bashku me çlirimtarët tanë, të cilët po zhvillojnë betejën e fundit për të vërtetën e luftës sonë çlirimtare”, u shpreh Murseli.
Në fund, ai uroi të gjithë qytetarët e Fushë Kosovës për Ditën e Çlirimit, duke bërë thirrje që sakrifica për liri të mos harrohet kurrë dhe të përcillet me respekt te brezat e ardhshëm.

