Telenews

ZGJEDHJA E KRYEPROKURORIT, REAGON MË NË FUND EDHE PRESIDENCA E KOSOVËS

Blerim Isufaj nuk po e ka përkrahjen për t’u emëruar në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, ndonëse emri i tij ishte më i votuari në radhët e Këshillit Prokururial të Kosovës. Pas këtij vendimi të KPK-së në adresën e presidentes Vjosa Osmani vërshuan kërkesa për të mos e dekretuar atë. Të zhgënjyer me konkursin u shfaqën edhe ndërkombëtarët. Ndërkaq, nga Presidenca thonë se ende nuk u është dërguar emri i Isufajt për dekretim.
Këshilli Prokurorial i Kosovës para dy ditësh ka votuar që  Blerim Isufajn të jetë pasardhës i Aleksandër Lumezit në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Por, ky emër ende nuk është dërguar ende në Presidencë.
Këshilltari i Osmanit, Artan Murati tha mbrëmë se është herët të flitet për këtë çështje, pasi sipas tij, Presidenca ende nuk ka marrë ndonjë propozim konkret nga KPK-ja për emrin e Kryeprokurorit.
E në momentin kur të marrin propozimin, Murati tha se presidentja do të konsultohet me të gjitha palët për të dhënë vendimin e saj.
Emërimi ose jo i Isufajt Kryeprokuror i Shtetit, sipas Muratit nuk mund të konsiderohet si ndikim politik, pasi kjo është e drejtë kushtetuese e Osmanit.
“Në Këshillin Prokurorial nuk ka të drejtë të ndërhyrjes askush, por varet se çfarë konsideroni ndërhyrje. Nuk është ndërhyrje politike, pasi kjo ka të bëjë me ushtrimin e kompetencave ligjore dhe kushtetuese të presidentes, pasi ajo emëron kryeprokurorin, prokurorët, ambasadorët, komandantin e FSK-së, kryetarin e KQZ-së e kështu me radhë”, deklaroi ai në “Rubikon”.
Çështja e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit ka ngjallur reagime të shumta në vend por edhe tek ndërkombëtarët.
Ndonëse KPK-ja vlerësoi se i tërë procesi për emërimin e  Kryeprokurorit të ri të Shtetit, ka qenë objektiv, transparent, gjithëpërfshirës dhe i bazuar plotësisht në meritokraci, një gjë të tillë nuk po e thonë shoqëria civile dhe ndërkombëtarët.
Rrjedhimisht ata i kanë bërë thirrje Osmanit që të mos e dekretojë Isufajn për pozitën e Kryeprokurorit.
IKD, GLPS dhe Lëvizja FOL kanë reaguar pasi anëtarët e KPK-së e votuan unanimisht Blerim Isufajn për Kryeprokuror.
“Ky propozim për emërim të Blerim Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit bëhet nga Këshilli Prokurorial megjithëse organizatat kyçe të vendit që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë, kishin tërhequr vërejtjen se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit”, thuhej në komunikatë.
Edhe Bashkimi Europian dhe specifikisht Gjermania e Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë befasuese, zhgënjyese dhe shqetësuese mënyrën se si Këshilli Prokurorial e ka zgjedhur Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog reagoi i befasuar pas mbledhjes së KPK-së të mërkurën.
“Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për të siguruar një përzgjedhje fer, transparente dhe të bazuar në merita, të kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës e përmbylli procesin duke mos i respektuar këto parime. I befasuar dhe i zhgënjyer me veprimet e KPK-së”, tha Szunyog përmes një reagimi në Tëitter.
Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, shprehu po ashtu zhgënjimin e tij për vendimin e KPK-së për ta zgjedhur Blerim Isufajn Kryeprokuror.
“Kjo është me të vërtetë zhgënjyese dhe jo rruga e duhur për të ecur përpara. Sidomos kur OJQ-të e njohura të Kosovës, si Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe GLPS, kanë shprehur shqetësime të ngjashme”, shkroi Rohde.
Ndërsa, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha sot se pritjet e SHBA-së në këtë proces kanë qenë që ai të jetë “i drejtë, objektiv, transparent dhe i bazuar në merita”.
“Fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e Panelit Shqyrtues nuk përmbushin këtë standard. SHBA-ja nuk ka pasur një kandidat të preferuar dhe as nuk kemi paragjykuar kualifikimet individuale të kandidatëve”, tha Hovenier përmes një postimi në Tëitter.
Ambasadori Hovenier tha se prezenca e përfaqësuesve të ambasadës gjatë seancës së 6 prillit, ku KPK-ja në mënyrë unanime nominoi Blerim Isufajn për postin e kryeprokurorit të Shtetit, nuk duhet të shihet si mbështetje e SHBA-së për këtë proces.
“Ne jemi të shqetësuar me mënyrën KPK-ja ka kryer këto procedura dhe ka dëmtuar besimin e publikut të Kosovës dhe besimin tonë ndaj KPK-së si institucion publik”, tha Hovenier.

Të ngajshme

“E qiti Glaukun, njeriun që se ka lanë kërkun”, Valon Syla thotë se VV po luan me afate

KushtrimGuraj

Glauk “konsensual” Konjufca merr “Jo” të madhe nga ish-opozita: për Kryetar të Kuvendit i kishte mbi 80 vota

KushtrimGuraj

PDK mban mbledhje të kryesisë, vendos nëse do ta votojë Konjufcën

Donat Hashani