Edon Zhegrova e shijoi mbrëmë golin e parë në fanellën e Lillet, ku u transferua në janar nga Baseli.
Ylli kosovar u inkuadrua në lojë në minutën e 82-të dhe e gjeti golin vetëm në minutën e fundit.
Ai ndihet i lumtur për këtë dhe zotohet se do të mundohet t’i gëzojë më shpesh tifozët e kampionit francez.
“Mbi të gjitha, jam i lumtur që i fituam tri pikë. Ishte mjaft e rëndësishme, ekipi bëri punë mjaft të mirë duke fituar 4:0. Natyrisht, jam i lumtur për golin e parë, shpresoj që të vijnë edhe të tjerë”, theksoi fillimisht përfaqësuesi kosovar për mediumin francez “le11hdf.fr”.
“Unë do të vazhdoj të punoj fort, shënova ose nuk shënova. Gjithmonë punoj shumë dhe kur trajneri ma jep mundësinë të luaj, e jap më të mirën për ekipin”, shtoi ai.
“Jam mjaft i lumtur këtu. Shpresoj që të jem në gjendje të festoj së bashku me tifozët edhe shumë gola të tjerë në të ardhmen”, përfundoi Zhegrova.