Federata e Futbollit së Shqipërisë (FSHF) dhe kompania Macron kanë prezantuar fanellat e reja që ‘Shqiponjat’ do të veshin në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botëror FIFA 2026. Lojtarët e drejtuar nga Sylvinho do të veshin fanellat e reja që në ndeshjen e parë të fazës së kualifikimeve që do të zhvillohet më 21 mars kundër Anglisë.
Fanellat e reja (fanella e parë e kuqe, fanella e dytë e bardhë dhe fanella e tretë e zezë) përbëhen nga një grafikë e veçantë e stampuar, e cila, duke nisur nga simboli i shqiponjës dykrenore, përfshin një seri të pasur referencash të elementëve natyrorë dhe kulturorë karakteristikë të Shqipërisë.
Brenda dizajnit të shqiponjës, e cila është e pranishme në mëngë, në pjesën e përparme dhe të pasme të fanellës, janë përfshirë shumë simbole, secili me një kuptim specifik: Shqiponja jonë dykrenore, e ndërtuar nga detaje që pasqyrojnë bukurinë, natyrën dhe shpirtin e pasur shqiptar, mban në krahët e saj malin, lumin, diellin dhe detin, simbole të fuqisë dhe bukurisë së jetës sonë.