Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, në tubimin e tij përmbyllës në Prishtinë, ka thënë se janë mbledhur për ta mbyllur kapitullin e krizës dhe kaosit, që e ka kapluar Kosovën.
“Jemi mbledhur për t’i thënë qartë dhe fuqishëm secilit qytetar, në secilën komunë, në secilën lagje, në secilin fshat. Ne jemi gati ta ndalim krizën. Ne jemi gati ta ndryshojmë Kosovën. Të dielën, ne e ndajmë votën. Një votë që ka një qëllim. Një votë me shpresë. Një votë për PDK-në. Të hënën, fillon ndryshimi i madh. Ne do të jemi Qeveria e re”, ka thënë Hamza.
Ai ka thënë se do ta kthej Kosovën nga kriza drejt zhvillimit, nga pasiguria drejt stabilitetit, nga dëshpërimi drejt shpresës.
“Kosova mund të bëhet më mirë. Kosova duhet të bëhet më mirë. Dhe nga e hëna e tutje, bashkë, ne do ta bëjmë Kosovën më mirë”, ka thënë ai.
Lideri i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se gjatë këtyre javëve ka udhëtuar nëpër gjithë Kosovën.
“Kemi takuar punëtorë, mjekë, mësues, pensionistë, bujq, ndërmarrës, studentë, të rinj, gra e burra që çdo ditë e mbajnë këtë vend në këmbë. Kam dëgjuar shqetësimet e tyre. Kam parë lodhjen e tyre. Kam ndjerë zhgënjimin e tyre. Por mbi të gjitha, kam parë diçka shumë më të rëndësishme. Kam parë shpresë se Kosova mund të ndryshojë. Dhe sonte, nga ky shesh, dua t’i them secilit qytetar të Kosovës. Shpresa juaj është e drejtë. Ndryshimi është i mundur. Dhe ndryshimi fillon me votën tuaj”, ka thënë ai.

