Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Jospeh Borrell ka thënë se pret nga liderët e Serbisë dhe Kosovës të jenë të hapur për gjetjen e gjuhës së përbashkët, pas takimeve të ndara dy palëshe që realizoi mëngjesin e të enjtes me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq.
Në rrjetin social Twitter, Borrell ka thënë se është koha për të avancuar drejt “normalizimit të plotë” të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Sot në mëngjes po ftoj takimin e Dialogut të nivelit të lartë Beograd-Prishtinë. Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë treguar sërish se është koha për të avancuar përpara drejt normalizimit të plotë. Unë pres që të dy udhëheqësit të jenë të hapur dhe fleksibël për të gjetur gjuhën e përbashkët”, tha ai.
https://twitter.com/JosepBorrellF/status/1560184533579927552/photo/1
Mëngjesin e sotëm ka pasur takime dypalëshe midis përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe liderëve. Takimi midis Kurtit dhe Borrellit është mbajtur nga ora 09:30, ndërkaq në 10:00 shefi i diplomacisë evropiane është takuar me Vuçiqin.
Në orën 10:30 ka nisur takimi trepalësh, mes Kurtit, Vuçiqit dhe përfaqësuesve të BE-së.
Në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian më herët është bërë e ditur se takimi trepalësh do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.