Telenews

LAJÇAK THOTË SE NË BISEDIMET KOSOVË-SERBI, JANË AFËR MARRËVESHJES NË DISA TEMA

Në intervistë ekskluzive për RTK-në, emisari i posaçëm për dialog Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tregoi për ecurinë e takimeve bilaterale mes Brukselit, Prishtinës dhe Beogradit. Sipas tij, janë shumë afër që dy palët të pajtohen në disa tema konkrete.
Emisari special i BE-së, Miroslav Lajçak, ka theksuar se çdo ditë janë në kontakt me institucionet e Kosovës dhe të Serbisë për ta gjetur një zgjidhje për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë më 3 prill edhe në Kosovë.
Ai tha se dita e zgjedhjeve po afrohet, andaj shumë shpejt duhet të arrihet një marrëveshje politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila nuk do të cenonte kushtetutshmërinë e Kosovës dhe do t’u mundësonte serbëve të Kosovës që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar. Madje, Lajçak thotë se një marrëveshje e tillë do të krijonte atmosferë tjetër në dialogun e nivelit të lartë politik, që sipas tij pritet të vazhdojë pas zgjedhjeve serbe.
“Takimi nuk mund të them që nuk u mbajt, sepse kaluam bashkë 11 orë duke diskutuar ndaras për temat dhe çështjet e ndryshme me Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviq. U diskutuan disa runde të temave dhe në shumicën prej tyre pat pajtime, dhe besoj që shumë shpejt do të arrijmë marrëveshje në shumicën prej tyre, veçanërisht në çështjen për personat e zhdukur dhe menaxhimin e rrymës në veri. Kështu që, po vazhdojmë të mbajmë takime bilaterale mes Brukselit e Prishtinës dhe Brukselit e Beogradit. Kjo, për arsye se kur kemi  gati marrëveshjes temat konkrete dhe të përfunduara mbahet takimi trepalësh, për të evituar kushtet dhe mospajtimet në takim. Prandaj, po vazhdojmë me takime bilaterale”, tha Lajçak.
Ndërsa, për ndonjë afat kohor se kur mund të pritet finalizimi i dialogut,  emisari i BE-së, thotë se të dyja palët, si Kosova edhe Serbia kanë pritje të ndryshme.
“Nuk është fshehtësi që  pritjet janë të ndryshme nga të dy palët, kur po them dyja palët, është fjala për Kosovën dhe Serbinë, ashtu siç iu referohemi në dialog. Këto të dyja kanë pritje të ndryshme për dialogun. Ne patëm dy takime të ndryshme midis kryeministrit Kurti dhe president serb Vuçiq në muajin qershor dhe korrik të vitit të kaluar dhe ishin të dobishme për të krijuar kontakte dhe njohur më mirë njëri-tjetrin”, tha ai.
Megjithatë, në temën e personave të zhdukur, Lajçak u shpreh se është temë shumë sensitive për të cilën nuk duhet vetëm zotim politik.
“Çështja e personave të zhdukur është temë e ndjeshme humanitare,  dhe është në interes për të dyja palët, si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë. Dhe kështu Be dëshiron që të zgjidhë fatin e mijëra të zhdukurve. Dhe për këtë duam të bëjmë një zotim jo vetëm politik në këtë drejtim, por edhe gjithashtu të pajtohemi për masat dhe mekanizmat të përshpejtojnë këtë proces të punës dhe substancën e gjithë kësaj çështje”, u shpreh ai.

Të ngajshme

Mali i Zi publikon analizë për “Ballkanin e Hapur”, dokumenti hiqet nga rendi i ditës në Kuvend

KushtrimGuraj

Çitaku: Në një ditë si kjo është mirë t’ia kujtojmë vetes çmimin e lartë të lirisë

KushtrimGuraj

Rrëfimi i amerikanit që mblodhi kujtimet e Ismail Qemalit

KushtrimGuraj