Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend, duke dalë në mbrojtje të kryetarit të partisë, Bedri Hamza, dhe të PDK-së.
Përmes një reagimi publik, Musliu-Shoshi ka deklaruar se PDK nuk është mashtruar dhe as tradhtuar, pasi, sipas saj, nuk ka qenë pjesë e lojërave politike, por ka vepruar mbi bazën e parimeve.
“PDK nuk u mashtrua e as nuk u tradhtua, sepse nuk ka qenë pjesë e lojërave politike, por pjesë e parimeve!”, ka shkruar ajo.
Deputetja ka theksuar se PDK, edhe kësaj radhe, i ka dhënë Kosovës institucione dhe ka dëshmuar përgjegjësi shtetërore, duke ruajtur përkushtimin për mbrojtjen e sakrificës dhe luftës çlirimtare.
Ajo ka pasur edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për ata që po kritikojnë Bedri Hamzën dhe PDK-në.
“Prandaj, mos i ktheni shigjetat kah Bedri Hamza e kah PDK-ja! Nuk mund të kërkohet dorëheqje individuale për vendime që nuk janë marrë individualisht. Përgjegjësia duhet të jetë aty ku janë marrë vendimet”, ka deklaruar Musliu-Shoshi.
Sipas saj, PDK vazhdon të qëndrojë me përgjegjësi institucionale dhe shtetërore, duke vendosur interesin e Kosovës mbi përplasjet politike.
“Ne, si gjithmonë, qëndrojmë me përgjegjësi institucionale, por mbi të gjitha me përgjegjësi ndaj këtij vendi. Ndaj kësaj toke ku kemi rrënjët, ku prehen stërgjyshërit tanë dhe ku po rriten fëmijët tanë”, ka shkruar ajo.
Në fund, deputetja e PDK-së ka theksuar se për partinë e saj Kosova nuk është lojë politike, por përgjegjësi dhe amanet
“Sepse për ne, Kosova nuk është lojë politike. Është atdheu ynë, përgjegjësia jonë dhe amaneti që nuk e tradhtojmë!”, ka përfunduar Musliu-Shoshi.

